Pas një arratie që zgjati rreth një çerek shekulli, autoritetet italiane kanë vënë në pranga vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Lushnjë.
Dy vëllezërit ishin dënuar në mungesë në vitin 2001 nga Gjykata e Lushnjës me një total prej 32 vitesh burg, për vrasjen me paramendim të shtetasit Rezar Metaj. Sipas hetimeve të kohës, krimi u krye në kuadër të një akti hakmarrjeje, pasi në vitin 1997 viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, dhe nuk ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese.
Pas ngjarjes, Artur dhe Arben Mëhilli u larguan drejt Italisë, ku jetuan për vite me identitete të rreme, përkatësisht si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni. Ata kishin arritur të siguronin edhe dokumente të rregullta qëndrimi në shtetin fqinj.
Zbulimi i vendndodhjes së tyre erdhi pas informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane, sipas të cilave persona me identitet të dyshimtë jetonin në të njëjtën zonë me familjarë të lidhur me ta. Në mungesë të gjurmëve të gishtërinjve në databazat shqiptare, identifikimi u realizua përmes analizës së fotografive të vjetra dhe përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës (facial recognition).
Krahasimi i tipareve fizike mes imazheve të mëparshme dhe atyre të siguruara nga pala italiane konfirmoi se bëhej fjalë për dy vëllezërit e kërkuar prej vitesh.
Në momentin e arrestimit, Artur Mëhilli ishte 60 vjeç, ndërsa Arben Mëhilli 54 vjeç. Në kohën e kryerjes së krimit, ata ishin përkatësisht 33 dhe 27 vjeç.
Sokol Mëhilli, viktima e vitit 1997, rezulton të jetë babai i Stenaldo Mëhillit, i njohur për publikun nga pjesëmarrja e tij në spektaklin televiziv “Big Brother VIP”, ku ka rrëfyer edhe ngjarjen tragjike të familjes së tij.
Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato italiane janë në bashkëpunim për përfundimin e procedurave të ekstradimit të Artur dhe Arben Mëhillit drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajnë dënimin e dhënë nga gjykata.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë./noa.al/
