Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vite burgim, bëjnë me dije mediat në Kosovë.
Aktgjykimi u shpall në një seancë publike. Prokuroria kishte kërkuar burgim përjetë për të tre të përfshirët, duke theksuar se vrasja e nënës së dy fëmijëve ishte e organizuar dhe e kryer në mënyrë të planifikuar.
Bashkëshorti i Ademajt, Naim Murseli organizoi vrasjen për motive personale ndërsa Plava kreu ekzekutimin me ndihmën e Kokallës.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, teksa ishte në makinë me bashkëshortin Naim Murseli dhe dy fëmijët e tyre të mitur. Sipas aktakuzës, Murseli planifikoi vrasjen për të përfituar rreth 260 mijë euro nga sigurimi jetësor në Suedi.
Ai ka angazhuar Granit Plavën për të kryer vrasjen, ndërsa Kushtrim Kokalla ka ndërmjetësuar lidhjen mes tyre.

