Muaji maj vijon me luhatje të forta të motit në Shqipëri, duke sjellë ditë të freskëta, reshje shiu dhe temperatura më të ulëta se normalja për këtë periudhë. Meteorologia Lajda Porja paralajmëroi se fundjava do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje dhe erë të fortë në disa zona të vendit.
Sipas saj, dita e shtunë pritet të jetë kryesisht me mot të vranët dhe me rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet fillimisht do të shfaqen në veri gjatë orëve të para të mëngjesit dhe më pas do të përfshijnë gradualisht qendrën dhe jugun e vendit.
Zonat më të prekura nga reshjet pritet të jenë veriperëndimi, Tirana, Elbasani, Korça dhe Pogradeci, ndërsa në jug reshjet do të jenë më të dobëta. Meteorologia theksoi se nuk parashikohen situata alarmante, por në veri mund të ketë përmbytje të përkohshme dhe vërshime të disa përrenjve për shkak të rrebesheve intensive afatshkurtra.
Një tjetër problematikë gjatë fundjavës do të jetë era e fortë. Në zonat jugore dhe në det të hapur priten stuhi ere që mund të arrijnë deri në 80-90 km/h në Kanalin e Otrantos, duke sjellë edhe pezullim të përkohshëm të mjeteve lundruese.
Temperaturat gjithashtu do të pësojnë rënie të ndjeshme. Maksimumet që gjatë javës kanë arritur deri në 27-28°C do të zbresin në rreth 23°C të shtunën dhe jo më shumë se 21°C të dielën. Në zonat malore minimalet mund të zbresin deri në 3°C.
Megjithatë, sipas parashikimeve, kjo situatë nuk do të zgjasë gjatë. Fillimi i javës së ardhshme sjell përmirësim të motit dhe rikthim gradual të temperaturave më të larta, ndërsa fundi i muajit maj pritet të shoqërohet me mot më tipik veror.

