Skip to content

IGJEO: Reshje intensive në orët në vijim. Qarqet që rrezikojnë përmbytjet

    Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit, duke shkaktuar probleme në disa zona të Durrës dhe duke ndikuar në qarkullimin rrugor.

    Në Durrës, era e fortë ka sjellë rrëzimin e disa pemëve në zonën e Plepave, duke bllokuar një segment të rrugës dytësore pranë rrethrrotullimit dhe duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

    Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), reshjet mesatare deri intensive kanë përfshirë shtatë qarqe të vendit: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

    Autoritetet paralajmërojnë se reshjet, të shoqëruara me shtrëngata dhe rrufe, mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe vërshime uji në zonat urbane, veçanërisht në qarqet e Durrës, Shkodër dhe Lezhë.

    Sipas parashikimeve, era e fortë do të vijojë edhe gjatë orëve në vijim, kryesisht në bregdet dhe zonat e ulëta, ndërsa gjatë ditës së diel pritet një ulje e ndjeshme e intensitetit të saj. Reshjet do të dobësohen gradualisht, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie me disa gradë, duke arritur deri në rreth 20°C në zonat e ulëta dhe rreth 6°C në zonat malore.