Një ngjarje tronditëse ka tronditur shtetin e Nju Jorkut, ku gjashtë persona të së njëjtës familje u gjetën të vdekur brenda një banese.
Autoritetet amerikane dyshojnë se 64-vjeçarja Amy Steedman vrau vajzën e saj 44-vjeçare, Sarah Myers, dhe katër nipërit e mbesat, përpara se t’i jepte fund edhe jetës së saj.
Sipas policisë, në banesë u gjet një shënim i shkruar me dorë, i cili tregon se 64-vjeçarja ishte e përfshirë në vdekjen e vajzës së saj dhe të katër fëmijëve, Harper 13 vjeç, Hudson 11 vjeç dhe binjakëve 10-vjeçarë, Gavin dhe Gracelyn.
Hetimet paraprake tregojnë se tre nga fëmijët u helmuan, ndërsa njëri prej tyre kishte edhe plagë të shkaktuara me thikë. Brenda banesës u gjetën ilaçe të shumta me recetë dhe pa recetë, si dhe prova që sugjerojnë një helmim të qëllimshëm. Burime të policisë thanë se hetuesit kanë gjetur edhe shiringa, duke dyshuar se fëmijëve u ishte injektuar lëndë helmuese.
Trupat u zbuluan të martën në mbrëmje, pasi një fqinj njoftoi policinë se nuk kishte parë prej ditësh 64-vjeçaren. Kur efektivët hynë në banesë, gjetën të gjashtë viktimat të pajeta dhe në gjendje të avancuar dekompozimi.
Sipas hetimeve, motivi i dyshuar lidhet me një vendim gjykate që i jepte kujdestarinë e katër fëmijëve babait të tyre, Brandy Harmon. Vendimi pritej të hynte në fuqi vetëm pak ditë më vonë, ndërsa autoritetet besojnë se kjo mund të ketë shtyrë 64-vjeçaren drejt aktit ekstrem.
Babai i fëmijëve, i cili jeton në Utah dhe nuk i kishte parë ata që nga viti 2019, tha se po përgatitej t’i priste në shtëpi kur mori lajmin tragjik nga policia.
“Kalova nga gëzimi se do t’i shihja fëmijët e mi, te fakti se nuk do t’i shoh më kurrë”, u shpreh ai, duke akuzuar ish-vjehrrën për tragjedinë dhe duke deklaruar se ish-bashkëshortja e kishte penguar prej vitesh të kishte kontakte të rregullta me fëmijët.
Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka prova që në ngjarje të jetë përfshirë ndonjë person tjetër, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë./tch/

