Pjesa e dytë e korrikut pritet të sjellë temperatura shumë më të larta në Shqipëri, me një valë të nxehti që do të prekë disa zona të vendit. Meteorologia Lajda Porja, në një intervistë për “Ora News”, bëri të ditur se pas një fillimi korriku me temperatura më normale, termometri do të nisë rritjen nga dita e martë.
Sipas saj, temperaturat do të shkojnë në 37 gradë të martën dhe deri në 38 gradë të mërkurën, ndërsa kulmi i të nxehtit pritet të jetë të enjten dhe të premten, kur në disa qarqe të Shqipërisë mund të shënohen vlera deri në 40 gradë.
Zonat më të prekura nga temperaturat e larta pritet të jenë qarqet e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Tiranës, Fierit dhe Lushnjës. Në disa zona të izoluara, si Kopliku, Belshi, Cërriku, Ura Vajgurore apo Lazarati, temperaturat mund të kalojnë edhe mbi 40 gradë.
“Presim që pjesa e dytë e korrikut të jetë shumë më e nxehtë sesa pjesa e parë. Nga e marta fillon rritja e temperaturave dhe fundjava do të jetë me vlera shumë të larta”, deklaroi Porja.
Meteorologia theksoi se vala e të nxehtit do të shoqërohet me mot të qëndrueshëm dhe mungesë reshjesh, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, duke krijuar kushte ideale për pushuesit, por edhe rrezik të shtuar për zjarret.
Sipas saj, era që do të jetë herë pas here e fortë, e kombinuar me temperaturat e larta dhe terrenin e thatë, mund të favorizojë përhapjen e vatrave të zjarrit, sidomos në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit, në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Vlorës.
Një freskim i lehtë pritet në fillim të javës së ardhshme, rreth datës 20 korrik, ku temperaturat mund të zbresin në 34-35 gradë, por më pas masat e nxehta rikthehen sërish.
Porja paralajmëroi qytetarët të tregojnë kujdes gjatë orëve të pikut të temperaturave. Sipas saj, lëvizjet nga ora 11:00 deri rreth orës 16:00 duhet të kufizohen për ata që nuk kanë nevojë të dalin, ndërsa personat që punojnë jashtë duhet të shmangin ekspozimin direkt në diell, të përdorin ujë dhe të qëndrojnë në hije.
“Një temperaturë prej 40 gradësh e matur në hije është e barabartë me rreth 46 gradë në diell”, u shpreh meteorologia.
Edhe pse vera e këtij viti nuk ka arritur ende nivelet rekord të vitit 2023, që ishte një nga verat më të nxehta të regjistruara, korriku pritet të mbyllet me temperatura shumë të larta.
Lajda Porja:
Presim që pjesa e dytë e korrikut të jetë shumë më e nxehtë sesa pjesa e parë. Ne kemi parë që të paktën në dhjetëditëshin e parë korriku ka patur temperatura më normale, kemi qenë në vlerën 33-34 gradë, duke përjashtuar fundjavën e cila solli një tendencë të rritjeve të temperaturave. Parashikohet sot një maksimum prej 35 apo 36 gradësh. Megjithatë, që nga nesër, pra nga e marta dhe në vijim ne presim rritje të mëtejshme.
Të martën presim 37 gradë, 38 të mërkurën, do të jetë dita e enjte dhe e premte që do të shënojë 40 gradë në disa qarqe të Shqipërisë: në Shkodër, në Berat, në Gjirokastër, Elbasan. Kemi temperatura mjaft të larta në Tiranë, në Fier, në Lushnje ku termometri aty luhatet nga 36 në 38 apo 39 gradë. Kemi temperatura deri në 36 gradë përgjatë vijës së bregdetit dhe temperatura 32 gradë në zonat malore. Megjithatë ne presim që e gjithë java të jetë e nxehtë, duke filluar nga e marta deri të dielën.
Kemi në fillimin e javës tjetër, që përkon me datën 20, të hënën dhe të martën një freskim të motit ose një tërheqje të valës ku termometri sërish zbret në 34-35 dhe më pas nga e marta tjetër sërish kemi aktivizim të masave të nxehta. Parashikohet në fakt që temperaturat më të larta të shënohen në pjesën e dytë të korrikut.
Pra duke filluar nga dita e mërkurë dhe enjte e kësaj jave dhe deri në fund të korrikut, këto janë ditët ku do të kemi tre-katër ditë ku do të kemi dhe pikun e temperaturave që do të ketë zona që do të jenë 40 gradë, por nuk përjashtohen zona të izoluara të qarkut të Shkodrës që mund të jetë Kopliku, të qarkut të Beratit, Belshi ose Cërriku të qarkut të Elbasanit, të qarkut të Beratit Ura Vajgurore, apo Gjirokastra, Lazarati që ta shënojnë temperaturën mbi vlerën 40 gradë.
Pra pritet, si të thuash, një 15 ditësh shumë i qëndrueshëm për të gjithë ata që kanë zgjedhur t’i bëjnë pushimet përgjatë pjesës së dytë të korrikut, sepse nuk parashikohet që të ketë reshje sidomos në vijën bregdetare dhe parashikohen temperatura shumë të larta.
Do të thoja që herë pas here prezenca e erës, era do jetë edhe gjatë kësaj jave herë mesatare por në ndonjë moment edhe e fortë, do të sjellë probleme përsa i përket vatrave të zjarreve në zonat e Shqipërisë, në zona të caktuara, sidomos veriperëndimi dhe jugperëndimi, pra qarku i Shkodrës, i Lezhës apo qarku i Vlorës, aty era shfaqet më e fortë. Nëse do të kemi ndonjë shkëndijë zjarri, patjetër kjo sjell problem sepse duke iu shtuar temperaturave të larta dhe parametrit të erës, kjo bëhet problem për zgjerimin e hartës së zjarreve.
