Skip to content

15 bashki më pak / Reforma e re territoriale, zbardhet ndarja e re administrative, zbulohet drafti..

    Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin e tyre për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.

    Konkretisht, në draftin e saj, mazhoranca socialiste ka propozuar uljen e numrit nga 61 bashki që janë aktualisht, në 46.

    Sipas PS-së, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

    Çfarë ndryshon konkretisht, sipas PS-së?

    Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.

    Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”. Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.

    Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

    Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja.

    Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

    Bashkitë që bashkohen sipas propozimit të PS:

    -Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë

    -Klos + Mat → Bashkia Mat

    -Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë

    -Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat

    -Patos + Fier → Bashkia Fier

    -Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë

    -Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë

    -Maliq + Korçë → Bashkia Korçë

    -Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet

    -Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë

    -Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër

    -Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan

    -Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd

    Pavarësisht se Komisioni i Posaçëm Parlamentar mbi Reformën Administrativo-Territoriale është komision bipartizan, që drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PS-së dhe PD-së, kjo e fundit nuk e ka zbardhur ende propozimin e saj.

    Ndërkohë, PD kërkoi në një prej seancave plenare zgjatjen e afatit të punimeve të Komisionit, ndërsa Partia Socialiste u shpreh kundër.