Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Italinë këtë të diel, ku pesë persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje masive në Rrugën Shtetërore 79 “Ternana”, në zonën e Colli sul Velino, në provincën e Rietit.
Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë një autobus, një kamionçinë dhe tre automjete të tjera. Përplasja pati pasoja fatale, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave, ndërsa 27 të tjerë u plagosën. Tre prej të plagosurve raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forcat e policisë, të cilat nisën operacionet e shpëtimit. Pasagjerët e autobusit u evakuuan, ndërsa disa prej tyre morën ndihmën e parë në vend për shkak të dëmtimeve dhe gjendjes së shokut.
Në operacionin e emergjencës u përfshinë edhe helikopterë, të cilët transportuan të plagosurit më rëndë drejt spitaleve në rajonet Umbria dhe Lazio.
Për shkak të ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe hetimeve për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, segmenti rrugor u mbyll përkohësisht, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe vështirësi në qarkullim.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje me pasoja të rënda.
