Një burrë 60-vjeçar në Uells është dënuar me dy vjet e katër muaj burg për mbajtjen e trupit të nënës së tij në frigorifer për tre vjet, në mënyrë që të mund të vazhdonte të merrte pensionin dhe përfitimet sociale të saj, me një total prej 91,000 eurosh (78,000 paund).
Siç raportohet nga Daily Mail, Christopher Phillips u dënua nga një gjykatë në Cardiff pasi ishte deklaruar fajtor si për pengimin e varrimit të nënës së tij, ashtu edhe për dy akuza për mashtrim kundër Qeverisë Britanike. Sipas raportit, 89-vjeçarja Sylvia Phillips vdiq më 8 mars 2023, në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Sipas asaj që iu paraqit gjykatës, djali i saj e mbante në krahë kur ajo mori frymën e fundit dhe i premtoi se do të “kujdesej” për të.
Dy ditë më vonë, ai bleu një frigorifer të madh, të cilin e vendosi në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tyre në Porthcawl, në jug të Uellsit, dhe e futi trupin e saj brenda. Trupi ishte i mbuluar me një pëlhurë me printime leopardi dhe një kartolinë ditëlindjeje që shkruante “Për mamin, nga Christopher dhe Tina”, me Tinën si qenin e familjes.
Ndërkohë që e fshehu vdekjen e nënës së tij, Phillips nuk informoi as Departamentin e Punës dhe Pensioneve dhe as këshillin vendor. Si rezultat, pensioni i saj shtetëror, pagesa për mbështetjen e daljes në pension, pagesa për kujdestarin, pagesa për koston e jetesës në rast emergjence, pagesa për ngrohje dhe pagesa për strehim vazhduan të paguheshin në llogarinë e saj bankare. Në total, ai mblodhi në mënyrë të paligjshme 78,190.92 £, para që i aksesoi përmes llogarive bankare të nënës së tij
Gjyqtarja Tracey Lloyd-Clark tha se i pandehuri i mashtroi sistematikisht autoritetet shëndetësore, madje duke vazhduar të merrte ilaçet e përshkruara nga nënën e tij. Kur mjekët kërkuan ta takonin, ai pretendoi se nuk donte të merrte pjesë në analiza ose takime mjekësore.
Mbrojtja argumentoi se 60-vjeçari ishte në një gjendje të vështirë pas vdekjes së nënës së tij, me të cilën kishte një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushtë. Sylvia Phillips e kishte birësuar atë kur ai ishte vetëm dy vjeç dhe të dy jetuan së bashku për gati pesë dekada. Që nga viti 2008, ai ishte kujdesur plotësisht për të. Sipas avokatit të tij, i pandehuri i tha policisë se “nuk donte ta linte të shkonte”, ndërsa zbuloi se vazhdoi të ulej pranë trupit të saj, t’i mbante dorën dhe të fliste me të sikur të ishte ende gjallë, duke diskutuar për shfaqje televizive, gara me kuaj dhe serialet e tyre të preferuara. Mbrojtja foli për një person veçanërisht të prekshëm, me probleme serioze të shëndetit mendor në periudhën pas vdekjes së nënës së tij.

