Një 48-vjeçar me origjinë shqiptare është dërguar në spital në Itali pasi ra nga kati i tretë i banesës së tij dhe përfundoi në ballkonin e katit të dytë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës. Rënia u ndal në ballkonin e katit të dytë, duke bërë që 48-vjeçari të mos përfundonte në tokë.
Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për ta nxjerrë të dëmtuarin nga ballkoni, për shkak të pozicionit të vështirë ku kishte mbetur.
Pasi u nxor nga ndërtesa, ai mori ndihmën e parë nga ekipet mjekësore dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Torrette.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat italiane, 48-vjeçari ka pësuar frakturë të legenit. Gjendja e tij është vlerësuar e rëndë në momentin e transportimit, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, rrethanat e sakta të rënies mbeten ende për t’u sqaruar. Karabinierët kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident në banesë apo nëse pas ngjarjes fshihen rrethana të tjera.
Dëshmia e 48-vjeçarit, i cili është i vetëdijshëm, pritet të ndihmojë hetuesit në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.

