Kjo e mërkurë është cilësuar nga sinoptikanët si dita më e nxehtë e vitit në vend, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius.
Agjencia për Media dhe Informim u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të temperaturave të larta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, qytetarëve u këshillohet të shmangin daljet në orët e pikut, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.
Vëmendje e veçantë kërkohet për fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa kujdes duhet treguar edhe për kafshët.
● Për të përballuar më mirë të nxehtin:
Pini ujë shpesh, edhe nëse nuk ndjeni etje.
Shmangni ekspozimin në diell dhe aktivitetin fizik në orët më të nxehta.
Vishuni lehtë, me rroba të lirshme dhe me ngjyra të çelëta.
Qëndroni në ambiente të freskëta dhe mbani sa më të freskëta hapësirat e banimit.
Kujdesuni veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.
Mos lini fëmijë apo persona të tjerë në automjete të parkuara, edhe për pak minuta.
Mos harroni kafshët, duke u siguruar ujë të freskët dhe një hapësirë me hije.
Për qytetarët që kanë shqetësime për shkak të temperaturave të larta, këshillohet konsultimi me mjekun e familjes.

