Një zjarr i fuqishëm në ambientet e një restoranti në Hotel “Bruklini” ka shkaktuar gjashtë të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të godinës, ku disa persona janë detyruar të dalin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.
Sipas informacionit të policisë, pesë prej të dëmtuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni. Dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore, ndërsa një tjetër po merr trajtim në spitalin rajonal të Vlorës.
Mjekët kanë bërë të ditur se pesë pacientë janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Tre prej tyre janë dërguar në qendrën e djegieve dhe plastikës, ndërsa dy të tjerë në Qendrën Kombëtare të Traumës, për shkak të dëmtimeve traumatike të shkaktuara nga rënia.
Sipas mjekëve, pacientët ishin kryesisht të rinj, në moshat 25 deri në 30 vjeç. Një prej të plagosurve kishte djegie në rreth 100% të trupit, ndërsa një tjetër rreth 50%, duke e bërë gjendjen e tyre veçanërisht të rëndë.
Nga hetimet paraprake rezulton se zjarri ka qenë aksidental. Shkak dyshohet të jetë djegia e prizës elektrike së frigoriferit që ndodhej në ambientet e restorantit. Dëmet materiale në godinë janë të konsiderueshme.

