Poli Boriçi dyshohet se tentoi të vriste një ditë më parë në Elbasan Ermir Kërtezin për hakmarrje.
Pas atentatit të dështuar, autori ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, ku ka deklaruar se e kishte planifikuar vrasjen e 50-vjeçarit për të marrë hak për vëllanë e tij. Sipas tij, Ermir Kërtezi i ka plagosur vëllain 15 vite më parë dhe për pasojë, ai ka mbetur i paralizuar.
Por nga ana tjetër, shënjestra e atentatit, Ermir Kërtezi, ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar dhe se dy familjet banonin pranë njër tjetres dhe nuk kanë patur probleme për një dekadë e gjysmë. Për këtë arsye, autoritetet po hetojnë edhe pista të tjera, veç asaj të hakmarrjes.
Ngjarja ndodhi mesditën e te shtunes në lokalin në hyrje të qytetit të Elbasanit. Kërtezi ndodhej brenda në lokal, ndërsa lëvizjet i tij po i ndiqte Poli Boriçi, i cili po ashtu gjendej i ulur i shoqëruar nga bashkëshortja.
Kur Ermir Kërtezi doli jashtë, Boriçi e ndoqi, nxori pistoletën dhe ia vendosi në kokë, por në atë moment iu bllokua arma. Ermir Kërtezi arriti të shpëtojë duke shtyrë Boriçin dhe duke u larguar me shpejtësi. Poli Boriçi u arrestua disa minuta pas ngjarjes.

