Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Orsognas, në provincën e Chietit në Itali, ku një foshnjë vetëm 3 muajshe ka humbur jetën pas një problemi shëndetësor në banesë.
Sipas mediave italiane, ka qenë babai i foshnjës ai që ka njoftuar shërbimet e emergjencës. Një ambulancë e 118 ka mbërritur në banesë dhe foshnja është transportuar drejt spitalit të Chietit, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Në trupin e foshnjës nuk janë konstatuar shenja dhune. Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është bërë i ditur, ndërsa Prokuroria e Chietit pritet të vendosë nëse do të kryhet autopsia apo ndonjë ekzaminim tjetër për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.
Çifti jetonte prej pak kohësh në Orsogna, në një banesë në qendrën historike të qytetit. Babai është italian, ndërsa nëna e foshnjës është shqiptare.
Për ngjarjen kanë nisur hetimet nga Karabinierët e stacionit të Orsognas.
Në shenjë respekti për familjen, kryetari i bashkisë Andrea Marinucci ka vendosur të anulojë aktivitetet e planifikuara për mbrëmjen e 15 gushtit. Ceremonia fetare e “Talami”-t është shtyrë për ditën e nesërme, ndërsa koncerti që do të zhvillohej më pas është anuluar.
Bashkia dhe administrata lokale kanë shprehur solidaritetin dhe afërsinë e tyre me familjen në këtë moment të rëndë dhimbjeje.

