Ditën e dielë pritet të shënohet edhe dita më e nxehtë e kësaj jave, duke sjellë temperatura ekstreme në disa qytete të vendit.
Në një lidhje direkte për “Ora News”, Sinoptikania Lajda Porja, bëri me dije se qarku i Shkodrës do të arrijë vlerën rekord prej 39 gradësh, ndërsa Elbasani, Berati dhe Gjirokastra do të shënojnë 38 gradë.
Qytetet e tjera të ultësirës perëndimore do të variojnë mes 36 dhe 37 gradë, ndërsa bregdeti do të shijojë temperatura të ngrohta nga 33 deri në 35 gradë.
Tirana, ndonëse nuk do të ketë reshje, do të përballet me vranësira dhe lagështirë të lartë gjatë fundjavës, duke bërë që i nxehti të ndihet deri në 40 gradë. Për të gjithë ata që kanë planifikuar pushimet në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit, lajmet janë të shkëlqyera.
Porja theksoi se muaji shtator do të nisë me temperatura shumë të larta, duke shkuar deri në 35 gradë në zonat e ultësirës perëndimore, dukshëm mbi normat e zakonshme prej 28-29 gradësh. Këto kushte klimaterike, me tipare tipike të verës, do ta bëjnë shtatorin një muaj ideal për të vijuar plazhin në vijën bregdetare pa asnjë shqetësim.
Ndërkohë, sa i përket reshjeve për ditët në vijim, ato do të jenë shumë të izoluara dhe do të prekin kryesisht zonat malore lindore si Librazhdi, rrethinat e Elbasanit, Pogradeci, Korça dhe Erseka.
Megjithatë, këto rebeshe kalimtare që do të zgjasin vetëm pak minuta, nuk do të kenë sasi të mjaftueshme uji për të ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit që mbeten ende aktive në vend , u shpreh ajo.
“Menjëherë ditën e diel presim edhe ditën më të nxehtë të kësaj jave. Do të kemi 39 gradë në qarkun e Shkodrës, do kemi Elbasanin dhe Beratin, Gjirokastrën me 38 gradë dhe pothuajse të gjitha qytetet e ultësirës perëndimore do jenë rreth vlerës 36 apo 37 gradë.
Një maksimum 34 gradë është parashikuar në zonat e verilindjes në Kukës, presim 31 në qarkun e Korçës dhe bregdeti do të jetë 33 Adriatiku dhe 34 dhe 35 gradë të brigjeve të Jonit. Temperaturat e larta në fakt Lili do të na shoqërojnë pothuajse gjatë gjithë dhjetëditëshit të fundit të muajit gusht.
Edhe pse tendenca do të jetë herë një ditë me një gradë rënie, një ditë me një rritje, do mbetemi sërish me vlerën 36 apo 37 gradë. Pra do të mbyllet gushti me këto vlera, gjatë gjithë kohës në periferi të valës afrikane, ku maksimumet janë kryesisht në disa zona të Italisë, Greqia dhe Turqia, e cila do të shënojë dhe vlerat më të larta të kësaj vale, po ashtu prej shumë ditësh tashmë dhe gadishulli Iberik ku Spanja prek temperatura deri në 40 gradë, ndërkohë Qiproja do të jetë rreth këtyre vlerave. Është vetëm dita e diel e cila shënon vetëm në qarkun e Shkodrës koplikun me 39 gradë dhe të gjitha ditët e tjera do jenë 37, 36 gradë pothuajse deri në fund.
Nëse flasim më pas për reshjet, parashikohet në fakt që të premten, të shtunën dhe të dielën të rrezikohen shumë pak zona. Zonat lindore, Librazhdi, Elbasani, zonat e izoluara të Elbasanit, Pogradec, Korçë, Ersekë, Bilisht, Tepelenë, Përmet, ku do të kenë rebeshe edhe të premten dhe të shtunën por edhe ditën e diel. Por rebeshe krejt të izoluara, pra vetëm në zona të caktuara, madje nuk bien në të gjithë qytetin, por vetëm në disa lagje, për disa minuta. Parashikohet që pjesa tjetër të jetë kryesisht me mot të kthjellët, sidomos bregdeti.
Tirana herë pas here do jetë paradite me diell, mbasdite do ketë momente që vranësirat do jenë shumë të dendura por nuk ka sinjale që Tirana të ketë reshje, do të ketë lagështirë, gjë e cila do të bëjë që në Tiranë do të ndihet shumë i nxehti. Sidomos të shtunën dhe të dielën ku lagështira do jetë e lartë, edhe pse Tirana do jetë rreth vlerës 36 apo 37 gradë, ne mund ta ndjejmë edhe si 40 për shkak të prezencës së saj.
Dhe parashikohet që deri nga fundi i muajit gusht reshjet të jenë krejtësisht të izoluara vetëm në zonat malore lindore, nuk ka sinjale që për këtë 10 ditësh të kemi një vranësirë të mirëfilltë e cila të gjenerojë reshje apo rebeshe për ta freskuar mjaftueshëm motin.“- tha ajo.

