Një 46-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet italiane pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij, duke e futur automjetin me shpejtësi në ujërat e portit të Cattolicës, në afërsi të Riminit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e 19 gushtit, vetëm dy ditë pasi i dyshuari ishte liruar nga një arrest i mëparshëm për dhunë në familje.
Sipas dëshmive të mbledhura nga Karabinierët, autori i identifikuar si Ismail Picari, po drejtonte një automjet tip Volkswagen Golf të bardhë, në të cilin ndodhej edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare. Pas një konflikti verbal lidhur me ndarjen e llogarive bankare, makina ka rritur shpejtësinë dhe është zhytur në kanalin e portit. Ndërhyrja e shpejtë e dy kalimtarëve dhe peshkatarëve që panë skenën shmangu tragjedinë, pasi ata u hodhën në ujë dhe arritën të nxjerrin gjallë gruan, e cila u dërgua në spital me lëndime dhe në gjendje të rëndë psikologjike. Ndërkohë, Picari arriti të dalë nga mjeti dhe u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur pak orë më vonë nga policia në banesën e tij.
Autoritetet bënë me dije se 46-vjeçari ishte arrestuar më 17 gusht për rezistencë ndaj zyrtarëve publikë dhe dhunë ndaj bashkëshortes, por ishte liruar dy ditë më vonë. Gjatë shoqërimit me pranga në atë kohë, ai kishte lëshuar kërcënime direkte se do ta vriste sapo të dilte. Hetimet dhe dëshmitë e fëmijëve të çiftit konfirmojnë se dhuna në këtë familje kishte qenë e vazhdueshme, ndërsa sjellja agresive e të atit ishte intensifikuar pas një aksidenti në vitin 2018. Ismail Picari ndodhet tashmë në paraburgim dhe përballet me akuzën e rëndë të tentativës për vrasje, si dhe një histori precedentësh penalë për dhunë, rezistencë ndaj autoriteteve dhe mbajtje armësh.

