Parlamenti nis sesionin e ri të martën në 8 shtator. Në orën 11:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve e cila përcakton ligjet që deputetët do të miratojnë në 3 javët e ardhshme, ndërsa seance plenare do të mblidhet pasdite në orën 17:00.
Mbledhja e parë e Parlamentit ka karakter kryesisht ceremonial dhe hapet me fjalën e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe më pas flasin kryetarët e grupeve parlamentare.
Mes ligjeve të parashikuara për tu votuar nga deputetët në këto javë të para të shtatorit është drafti që parashikon rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Ky ligj pritet t’i japë zgjidhje konfliktit të krijuar mes qeverisë e sistemit të drejtësisë për rrogat e magjistratëve.
Ndërkaq me kthimin e deputetëve në punë, duket se do të rikthehen edhe protestat para Parlamentit. Protestuesit e Zvërnecit kanë lajmëruar se do të mblidhen sërish të martën në proteste para Parlamentit.
Ashtu siç e kishin paralajmëruar, pas mbylljes së protestave të zhvilluara në ditët e verës, fillimi i shtatorit ishte me ndryshime të theksuara në tubimi. 1 shtatori u zhvillua tërësisht ndryshe, pasi qytetarët zgjodhën që të mos mbanin fjalime dhe rrethuan Kryeministrinë, brenda të cilës atë ditë ishte dhe kreu i qeverisë së bashku me zyrtarët. 1 shtatori u zhvillua dhe me përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve, ku disa prej këtyre të fundit u vendosën dhe në pranga.
Njëjtë si 1 shtatori është parashikuar të zhvillohet dhe protesta e sotme, e cila përkon me tubimin e 100-të në kryeqytetet. Qytetarët kanë paralajmëruar se nga dita në ditë protestat do të marrin përmasa më të madhe, madje kanë paralajmëruar dhe për mosbindje civile.













