Java nis me diell dhe temperatura në rritje, por në ditët e mesjavës priten vranësira dhe rrebeshe të izoluara shiu. Meteorologu Hakil Osmani sjell parashikimin për Shqipërinë dhe vendet e rajonit.
Shqipëria do të ketë një javë me mot të ndryshueshëm, ku temperaturat do të vijojnë të rriten gradualisht, ndërsa në mesjavë nuk do të mungojnë reshjet e shiut në disa zona të vendit.
Sipas meteorologut Hakil Osmani, dita e sotme do të dominohet nga intervalet e gjata me diell, veçanërisht gjatë orëve të mesditës. Bregdeti dhe zonat jugore do të kenë më shumë kthjellime, ndërsa pasditet mund të sjellin kalime të lehta vranësirash.
Situata ndryshon gradualisht gjatë ditëve në vijim.
Temperaturat shkojnë mbi 34°C
Temperaturat do të jenë në rritje duke nisur nga e marta. Nga maksimumet rreth 32-33°C në fillim të javës, termometrat pritet të ngjiten gradualisht në vlera mbi 34°C gjatë mesditës.
Edhe temperaturat e mëngjesit do të rriten. Në zonat malore, nga minimumet rreth 7°C të regjistruara në mëngjeset e para, pritet që në fundjavë ato të shkojnë në rreth 10-11°C.
Në ultësirën perëndimore temperaturat minimale do të luhaten rreth 18°C, ndërsa në vijën bregdetare mund të arrijnë deri në 23°C.
Rrebeshe të izoluara në mesjavë
Pavarësisht temperaturave të larta, moti nuk do të jetë plotësisht i qëndrueshëm.
Dita e martë dhe veçanërisht e mërkura pritet të sjellin më shumë vranësira dhe rritje të lagështirës në ajër. Në gjysmën lindore të territorit shqiptar mund të shfaqen rrebeshe të izoluara shiu, ndërsa të mërkurën reshjet pritet të përqendrohen kryesisht në skajin juglindor dhe në disa zona të jugut.
Pjesa tjetër e territorit do të vijojë kryesisht me mot të qëndrueshëm.
E enjtja dhe e premtja pritet të rikthejnë intervalet me kthjellime dhe kalime vranësirash, ndërsa nuk sinjalizohen reshje të përhapura.
Meteorologu thekson se reshjet e kësaj jave pritet të kenë karakter lokal dhe të butë, pa sinjale për situata problematike apo fenomene ekstreme.
Era deri në 55 km/h
Edhe era do të jetë përgjithësisht e qetë, por gjatë pasditeve mund të ketë intervale të shkurtra ku ajo do të fitojë shpejtësi.
Në këto momente, shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 50-55 km/h.
Sipas parashikimit, duke qenë se vjeshta do të shoqërohet herë pas here me temperatura të larta, nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim të shfaqen edhe rrebeshe të shoqëruara me stuhi të përkohshme ere.
Çfarë pritet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut?
Edhe vendet e rajonit do të kenë një javë me temperatura në rritje.













