Një 25-vjeçar shqiptar, banues në Torino, është vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa dyshohet se po grabiste një banesë në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.
Sipas mediave italiane, një grup prej të paktën 4-5 personash kishte hyrë në oborrin e banesës rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur pronari, i identifikuar si Roberto Mollo, i ka zënë në befasi dhe ka qëlluar disa herë me pistoletën që e posedonte në mënyrë të ligjshme. Si pasojë, 25-vjeçari shqiptar ka mbetur i vdekur, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Mollo, një mekanik dhe shofer kamioni për transportin e kafshëve, ndodhej i vetëm në banesën në pronësi të prindërve të tij, kur dëgjoi zhurma nga jashtë.
Pasi dyshoi se në pronë kishin hyrë persona të paautorizuar, ai doli për të parë situatën dhe, kur u përball me grupin në errësirë, mori pistoletën gjysmëautomatike dhe hapi zjarr. Njëri prej personave mbeti i vrarë, ndërsa të tjerët u larguan nga vendngjarja. Ngjarja po hetohet nga autoritetet italiane për të sqaruar dinamikën e plotë të saj.













