Vjeshta ka hyrë zyrtarisht në Shqipëri me shi dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Në disa zona malore priten edhe flokët e parë të dëborës, ndërsa fundjava sjell një tjetër kthesë: temperaturat do të ngjiten sërish pranë 30°C.
Ditët e nxehta të shtatorit duket se kanë marrë fund, të paktën sa i përket temperaturave ekstremisht të larta. Shqipëria është përfshirë nga vranësira dhe reshje shiu, ndërsa temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme.
Sipas meteorologut Akil Osmani, gjatë ditës së sotme vranësirat kanë dominuar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në gjysmën lindore janë shfaqur reshje shiu, herë pas here edhe në formën e rrebesheve.
Edhe kryeqyteti mbetet i ekspozuar ndaj reshjeve deri në orët e pasdites, me mundësi për ndërprerje të përkohshme dhe rikthim të shiut.
Temperaturat zbresin në 24°C
Ndryshimi i motit është shoqëruar edhe me rënie të ndjeshme të temperaturave.
Maksimumet në rang vendi nuk pritet të kalojnë 24°C, duke sjellë një ditë tipike vjeshte pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të kthjellët.
Në zonat malore, temperaturat minimale kanë zbritur deri në 8°C, ndërsa gjatë orëve të vona të mbrëmjes nuk përjashtohet rishfaqja e flokëve të dëborës në zonat e larta.
Fundjava sjell sërish ngrohtësi
Pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit, moti do të ndryshojë sërish gjatë fundjavës.
Të shtunën, zonat juglindore do të vijojnë të kenë vranësira dhe reshje shiu deri rreth mesditës, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë kushte më të qëndrueshme.
Gjatë pjesës së dytë të së shtunës dhe veçanërisht të dielën, moti pritet të përmirësohet në pjesën më të madhe të territorit.
Bashkë me kthjellimet do të rriten edhe temperaturat. Maksimumet pritet të ngjiten sërish pranë 29-30°C, duke sjellë një tjetër ndryshim të menjëhershëm të motit.
Mëngjeset, megjithatë, do të mbeten të freskëta. Të shtunën temperaturat minimale në zonat malore pritet të zbresin deri në 6°C, ndërsa në ultësirën perëndimore do të luhaten rreth 10°C dhe në bregdet mund të arrijnë 15-16°C.
Kujdes nga era në bregdet
Një tjetër element për t’u pasur parasysh do të jetë era.
Deri të dielën, përgjatë vijës bregdetare priten intervale me erë të fortë, e cila në periudha të shkurtra mund të arrijë 55-65 km/h, kryesisht nga kuadranti verior.
Kjo do të bëjë që mëngjeset dhe mbrëmjet të ndihen edhe më të ftohta, ndaj meteorologët këshillojnë kujdes me veshjen për shkak të ndryshimeve të mëdha të temperaturës gjatë ditës.
Shtatori mbyllet sërish me temperatura të larta
Edhe pse ditët e fundit kanë sjellë një rënie të ndjeshme të temperaturave, shtatori pritet të mbyllet me vlera mbi normalen shumëvjeçare.
Sipas meteorologut, temperaturat rreth 29-30°C në ditët e fundit të muajit janë rreth 3°C më të larta se vlerat normale për këtë periudhë, të cilat janë rreth 26.5°C.
Pas këtij episodi me reshje, priten intervale më të gjata me diell dhe temperatura sërish të larta.
Pra, moti do të vijojë me kontraste të forta: shi dhe freski në ditët e para, temperatura deri në 6°C në zonat malore në mëngjes, por më pas diell dhe sërish rreth 30°C në mesditë.













