E lindur më 19 gusht 1909, zonja Qamile Marra mund të jetë zyrtarisht gruaja më e vjetër në botë.
Ajo jeton në një shtëpi të thjeshtë e me oborr të vogël në Kozare, duke mbajtur mbi supe më shumë se një shekull histori dhe ngjarjet më përcaktuese të kombit shqiptar.
Ka qenë 3 vjeç kur Ismail Qemali kaloi nëpër këto zona ku banon Marra, për të shpallur pavarësinë në Vlorë. Ishte rreth 5 vjeç kur Princ Vidi mori drejtimin e Shqipërisë. Kur ajo ishte 19 vjeçe, Ahmet Zogu u shpall Mbret, dhe 35 vjeç kur Enver Hoxha mori pushtetin.
Në një rrëfim prekës për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në TV Klan, 117-vjeçarja kujtoi aq sa mundi kohërat e vjetra, me fokus të veçantë te vështirësitë e viteve komuniste.
Përveç sfidave të moshës, familja e saj është përballur edhe me vështirësi administrative gjatë viteve të fundit. Djali i 117-vjeçares tregoi se institucionet ia ndërprenë pensionin kur ajo mbushi 100 vjeç, pasi supozuan se kishte ndërruar jetë.
“Me 96 mijë lekë. Kur arriti 100 vjeçe, ata ia prenë pensionin, se nuk i takon të hajë. Unë kam bërë deklaratë. ‘Nuk ka vdekur, nuk i takon më të hajë’, thanë ata. Kam bërë deklaratë në Berat, është gjallë. Si ka mundësi? Ata ia prenë. Pse? Se ka mbushur moshën 100 vjeç. Pastaj bëri një kërkesë çuni, Stopit, se ishte në Gjermani djali. Më përpara erdhën lekët se sa erdhën gazetarët këtu. Urgjent. I sollën lekët. Ja që dashka të hajë ajo. Që atëherë e deri më tani nuk ia kanë prerë. Bëra një kërkesë prapë për t’i rritur pensionin, se me 96 mijë lekë çfarë janë? As asaj nuk i dalin, as unë nuk e ndihmoj dot. Fëmijët janë të ikur”, tha djali i 117-vjeçares për gazetarin Fevziu.
Lajmi për moshën e saj të rrallë ka tërhequr vëmendjen, ndërsa gazetari Blendi Fevziu ka bërë të ditur se do të marrë përsipër këtë çështje dhe do të kryhen verifikimet e nevojshme për t’ia përcjellë rastin zyrtarisht Librit të Rekordeve Guinness.
Aktualisht, sipas rekordeve zyrtare të Guinness, gruaja më e vjetër në botë njihet britanikja Ethel May Caterham, e lindur më 21 gusht 1909. Duke qenë se Qamile Marra ka lindur më 19 gusht 1909, ajo rezulton të jetë dy ditë më e madhe se Caterham, çka, nëse konfirmohet, mund ta vendosë atë në garë për titullin e personit më të vjetër në botë.













