Një ngjarje e rëndë dhe me mjaft pikëpyetje ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 25-vjeçari Ferdinand Nokaj, me origjinë nga Shqipëria dhe me banim në Colli al Metauro, është gjetur i pajetë në brigjet e lumit Adige në San Michele all’Adige. I riu, i cili prej pesë vitesh studionte për psikologji në universitetin e Roveretos, rezultonte i zhdukur që prej datës 30 gusht, ndërsa trupi i tij kishte qëndruar për javë të tëra në morgun e spitalit “Santa Chiara” në Trento pa u identifikuar nga autoritetet.
Lidhja e fundit e 25-vjeçarit me familjen ishte mbajtur mbrëmjen e 30 gushtit, ku në orën 19:16 ai i shkruante vëllait të tij fjalët e fundit tronditëse: “Ende gjallë”. Pak orë më parë, Ferdinandi u kishte treguar familjarëve se ishte dhunuar fizikisht në Rovereto nga disa të rinj shqiptarë dhe se kishte shenja në fytyrë e ndihej i frikësuar. Edhe pse babai i kërkoi të paraqitej menjëherë në polici, sinjali i tij i fundit telefonik u lokalizua nga stacioni hekurudhor i Roveretos dhe më pas në Tirolin e Jugut, rreth 64 kilometra larg vendqëndrimit të tij.
Trupi i pajetë i të riut u gjet nga kalimtarët më 5 shtator në brigjet e lumit, por pa u lidhur fillimisht nga policia italiane me dosjen e personit të zhdukur. Prindërit e Ferdinandit, të cilët ndërprenë menjëherë pushimet në Shqipëri për të kërkuar të birin rrugëve të Trentinos, mundën ta identifikonin atë vetëm më 25 shtator pasi u thirrën nga karabinierët, duke e njohur trupin përmes fytyrës dhe një tatuazhi specifik në gjoks.
Prokuroria e Trentos ka hapur zyrtarisht një dosje hetimore me pistën paraprake “nxitje ndaj vetëvrasjes”, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur lëvizjet e tij të fundit, konfliktin e pretenduar me bashkëatdhetarët dhe rrethanat e sakta që çuan në humbjen e jetës së studentit shqiptar.













