Vera e vitit 2026 u karakterizua nga temperatura dukshëm më të larta se mesatarja në Shqipëri, ndërsa vendi regjistroi edhe një numër më të madh ditësh me temperatura mbi 25°C.
Të dhënat e Shërbimit të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike tregojnë se temperatura mesatare e ajrit gjatë periudhës qershor-gusht ishte rreth 1 deri në 2.5°C mbi mesataren e viteve 1991-2020, me anomali edhe më të theksuara në zona të veçanta të territorit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është numri i ditëve të nxehta. Sipas hartave të Copernicus, pjesa më e madhe e Shqipërisë pati rreth 15 deri në 25 ditë më shumë me temperatura maksimale mbi 25°C krahasuar me mesataren e periudhës referuese.
Gjatë verës, Shqipëria u përfshi gjithashtu në zonat e Europës Jugore ku u evidentua stres shumë i fortë nga nxehtësia. Ky klasifikim bazohet në indeksin UTCI, i cili merr në konsideratë jo vetëm temperaturën e ajrit, por edhe lagështinë, erën dhe rrezatimin diellor. Vlerat 38-46°C në këtë indeks tregojnë nivel të lartë të stresit termik dhe nuk përfaqësojnë temperaturën reale të ajrit.
Krahas temperaturave të larta, fundi i verës u shoqërua edhe me kushte më të thata. Gushti rezultoi dukshëm më i thatë në pjesë të territorit shqiptar, ndërsa në Europën Juglindore u regjistruan deficite të reshjeve dhe rënie të lagështisë së tokës.
Të dhënat e Copernicus tregojnë se gjatë pjesës së fundit të verës edhe Ballkani përjetoi nivele të ulëta të lagështisë së tokës, me disa zona të Shqipërisë që kaluan në kategoritë më të thata krahasuar me mesataren shumëvjeçare.
Në nivel europian, vera e vitit 2026 ishte 1.17°C më e ngrohtë se mesatarja e viteve 1991-2020, duke u renditur si vera e tretë më e ngrohtë në serinë e të dhënave ERA5, pas viteve 2024 dhe 2022.
Raporti i Copernicus e përshkruan verën e këtij viti si një periudhë të karakterizuar nga nxehtësi e pazakontë dhe e zgjatur, kushte të thata, prurje të ulëta të lumenjve dhe aktivitet të shtuar të zjarreve në disa pjesë të kontinentit.













