Një aksident ka ndodhur sot në mbrëmje në aksin Elbasan-Peqin, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka humbur jetën një pasagjere 70 vjeçe.
Po ashtu si pasojë e aksidentit janë dëmtuar edhe dy drejtuesit e mjeteve, si dhe një pasagjere, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 19:20, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin A. B., 47 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Mazda”, me drejtues shtetasin R. Xh., rreth 70 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në spital shtetasja D. Xh., rreth 70 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin R. Xh. Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesit e të dy mjeteve, si dhe pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.













