Skip to content

Parashikimi i Motit, sinoptikani zbulon çfarë na pret këtë javë: Ditën e premte pritet..

Hakil Osmani, meteorologu i Meteoalb, bëri parashikimin e motit, ku u shpreh se kjo javë do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm dhe me diell.

Sipas Osmanit, paraditja do të jetë kryesisht me diell, ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të shpeshta.

Ndërkohë, për sa i përket temperaturave, kjo javë do të sjellë rënie, duke arritur orët e para të mëngjesit në 2-3 gradë, teksa theksoi se dita e premte do të sjellë sërish vranësira.

 “Kjo fillimjave ka nisur në mbizotërimin e vranësirave në orët e para të mëngjesit, ku dita e sotme po sjell më së shumti intervale të gjata me diell. Por parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë shpeshtim të vranësirave, duke bërë që në gjysmën lindore të territorit shqiptar herë pas here të kemi momente të pakta me reshje me intensitete të ulëta.

“Për sa i përket ditës së martë, të paktën edhe para saj mbetet kryesisht në mbizotërimin e këtyre vranësirave të shpeshta, ku më të fokusuara do të jenë në zonat jugore, duke bërë që aty të jenë prezente reshjet e pakta të shiut. Duke filluar nga orët e mesditës së ditës së martë dhe në vijim, pritet të kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të motit.

Kjo do të thotë që të paktën deri ditën e enjte pritet të kemi intervale të gjata me diell në territorin shqiptar, ku më të dukshme pritet të jenë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesditës në vijën bregdetare dhe në qytetet e zonës së ulët. Ndërsa në zonat malore herë pas here pritet të kemi kalime të lehta të vranësirave.

Ditën e premte ka sinjale që vranësirat të bëhen disi më të shpeshta në territorin shqiptar. Pritet të ketë dhe një rritje të përkohshme të lagështirës në ajër, çka sjell sinjale që të kemi dhe reshje të karakterit lokal dhe kryesisht të lokalizuara do të jenë në gjysmën lindore të territorit shqiptar. Pra, shtrirja lindore dhe pjesë e qyteteve të zonës së ulët pritet që herë pas here ditën e premte, në pjesën e dytë të saj, të kenë dhe momente të pakta me reshje të izoluara shiu.

Nga ana tjetër, kjo javë sjell edhe ndryshime të theksuara të temperaturave të ajrit. Ku në orët e para të mëngjesit të sotëm vlerat minimale janë regjistruar në 6°C në qytetet e zonës malore, ndërsa maksimumet regjistrohen në vlerën 25°C në vijën bregdetare të territorit shqiptar. Duke filluar nga dita e nesërme pritet të kemi një rënie graduale të temperaturave të ajrit, ku më e ndjeshme kjo do të jetë në orët e para të mëngjesit, duke bërë që të paktën deri ditën e enjte dhe ditën e premte minimumet të zbresin në qytetet e zonave malore në 2 apo 3°C.

Ndërsa maksimumet pritet të luhaten në ultësirën perëndimore rreth vlerës 23°C. Temperaturat e orëve të para të mëngjesit pritet të jenë rreth 2-3 gradë më të ulëta sesa vlerat normale. Ndërsa për sa i përket orëve të mesditës, pritet të kemi temperatura që pothuajse janë tipike për sa i përket muajit në të cilin ndodhemi. Kështu që këtu, kur ne do të jemi edhe në rrezatimin e diellit, temperaturat do të ndihen pak më të larta”, u shpreh Osmani.