Skip to content

Pedagogia bën llogaritje me laps e letër: Ja sa lekë i duhen një studenti për jetë dinjitoze!

Prej dy ditësh, studentët janë përfshirë në protesta të përshkallëzuara në kryeqytet, duke kërkuar kushte më dinjitoze.

Qiraja, ushqimi, faturat, si dhe shpenzimet për edukimin janë disa nga zërat që rëndojnë buxhetin mujor të të rinjve që studiojnë në kryeqytet.

Duke pasuar këtë gjë, në studion e emisionit “Shije Shtëpie”, në TV Klan, pedagogia e ekonomisë, Romina Radonshiqi, ka bërë një përllogaritje të shpenzimeve mujore që mund të ketë një student për të bërë një jetë më të mirë në Tiranë, duke e ndarë banesën me një person tjetër.

Sipas llogaritjeve të saj, shpenzimet arrijnë në 115 mijë lekë në muaj. Një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti shkon për edukimin, për të cilin parashikohen 30 mijë lekë në muaj, ndërsa qiraja llogaritet në 25 mijë lekë.

Për konsumin, studenti mund të shpenzojë rreth 20 mijë lekë në muaj, ndërsa për veshje dhe mirëmbajtje personale nevojiten 10 mijë lekë. Në buxhet përfshihen gjithashtu 5 mijë lekë për mirëmbajtjen e banesës dhe 5 mijë lekë për faturat.

Një tjetër zë i rëndësishëm është argëtimi dhe jeta sociale, për të cilat pedagogia ka parashikuar 20 mijë lekë në muaj.

Sipas Radonshiqit, pikërisht te shpenzimet për argëtimin mund të bëhen shkurtime, në rastet kur studenti dëshiron të menaxhojë më mirë buxhetin dhe të ulë kostot mujore.

LLOJI I SHPENZIMIT LEKË
Konsum 20 000
Qira 25 000
Mirëmbajtje 5 000
Veshje 10 000
Fatura 5 000
Shpenzime për edukimin 30 000
Argëtim / Jetë sociale 20 000
TOTAL 115 000
Tabela e shpenzimeve