Skip to content

Protestat e e dhunshme në Tiranë/ Rama: Do ta paguajnë

  • by

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për protestat e dhunshme në Tiranë.

“Nuk janë në duart e studentëve. Ata janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje.

Këto janë duart që përpiqen ta ulin Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila, me maska të verbërish përpara, me zjarre e hekur, kërkon ta rithejë Shqipërinë aty ku nuk do të rithehet kurrë. Në humnerën nga ku ne të gjithë e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, në BE.

Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Evropës, e shkollës së studentëve evropianë, të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana, Shqipëria dhe shqiptarët po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të cilat do t’i kalojmë, sepse Shqipëria do të vijojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj për Evropën e të gjithë studentëve të saj.

Kurrë më nuk do të bjerë në ato duar që e kanë kapur prej fyti dhe e kanë zhytur thellë në humnerë. Kush mendon që ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit dhe gjithëkush që ka dorë në këtë katrahurë, sigurisht që do të paguajë.

Sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Nuk do të jetë peng i së shkuarës. E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.