Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot, 5 ditë pas protestave të dhunshme, se është neutralizuar një dron që do godiste Kryeministrinë. Kreu i qeverisë akuzoi Rusinë dhe Iranin si shtete dashakeqëse që kanë dorë në protestë.
“Aty brenda është dhe krimi. Përpara dy ditësh, është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash. S’ka rini dhe s’ka studentë dhe s’ka të mitur që i shkon mendja, edhe jo më që ta vërë në jetë këtë plan. Kjo është një dorë e huaj”, tha Rama.
“Dje në mënyrë të befasishme për shumëkënd, por që ma çonin vazhdimisht, por edhe mua, ‘’babai’’ i Vladimiroviçit, Vladimirovic Putinit foli; ‘babai’ ideologjik, udhëheqësi shpirtëror, justifikuesi i të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe kundër perëndimit, mistifikuesi i Rusisë imperialiste foli, foli dhe tha; ‘’tani po, tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, një popull ortodoks, një popull sufistësh dhe ortodoksësh’’, vijoi ai.
“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘’duarve të huaja’’ , ku natyrisht një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”, u shpreh kryeministri.
