Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në rrugën “Petrela”, në Bathore të Kamzës, ku një punonjës i Policisë Ushtarake vrau me armën e shërbimit dy vëllezër dhe plagosi rëndë vëllain e tretë.
Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes tre vëllezërve dhe efektivit Ngushëllim Manzi, të cilët ishin fqinjë. Shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë ndërtimi i një muri rrethues pranë banesave të vëllezërve.
Sipas të dhënave paraprake, debati për kufirin e pronës dhe ndërtimin e murit ka degjeneruar në konflikt fizik dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit. “Mos e ndërto avllinë këtu” dyshohet të ketë qenë një nga përplasjet verbale që parapriu përshkallëzimin e situatës.
Tre vëllezërit, me origjinë nga Tropoja, janë identifikuar si Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, Nazmi Islamaj, 48 vjeç, dhe Shefqet Ismailaj, rreth 44 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, Selam Islamaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy vëllezërit e tij u dërguan në spital. Nazmi Islamaj nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë më vonë, ndërsa Shefqet Ismailaj vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Autori i dyshuar, Ngushëllim Manzi, rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake, u arrestua pak pas ngjarjes. Sipas policisë, ai e ka kryer krimin me armën e shërbimit.
Pas arrestimit, Manzi nuk ka dhënë deklarata lidhur me ngjarjen. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një pistoletë, e dyshuar si arma e përdorur në krim.
Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe sqarimin e rrethanave që çuan në përshkallëzimin e tij deri në përdorimin e armës.
