Gjatë tubimit të sotëm përpara Kryeministrisë, protestuesit dhe studentët kanë ndërmarrë një akt simbolik solidariteti me 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë një ditë më parë gjatë përplasjeve me forcat e rendit.
Pjesëmarrësit në protestë janë shfaqur në shesh me fasho mbrojtëse të vendosura mbi syrin e majtë, duke protestuar kundër dhunës policore dhe përdorimit të plumbave të gomës. Ky gjest i shërben ndërgjegjësimit publik për dëmtimin e rëndë që pësoi i riu, i cili u godit në fytyrë teksa ndodhej në distancë nga efektivët.
Pas marrjes së ndihmës së parë dhe ndërhyrjes paraprake në Spitalin e Traumës në Tiranë, Vishkulli është nisur pasditen e sotme drejt një spitali të specializuar në Romë të Italisë, me shpresën për të shpëtuar shikimin dhe për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale.
