Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku një pacient ka humbur jetën tragjikisht pasi ka rënë nga kati i tretë i godinës spitalore.
Sipas burimeve zyrtare, pacienti ishte shtruar më parë në këtë spital si pasojë e frakturave të marra nga një tentativë e mëparshme vetëvrasjeje dhe po merrte trajtimin përkatës mjekësor. Rrethanat se si ka ndodhur rënia e tij nga lartësia gjatë qëndrimit në spital mbeten ende të pasqaruara plotësisht.
Policia e Shtetit ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje. Në kuadër të veprimeve hetimore, uniformat e blu po marrin në pyetje personelin mjekësor kujdestar si dhe familjarët e pacientit, me qëllim përcaktimin e kushteve dhe rrethanave në të cilat ndodhi ngjarja tragjike.
