Skip to content

Aksident tragjik në Itali! Përplaset nga fuoristrada, humb jetën i riu shqiptar. Emri, foto

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 20-vjeçari Thomas Qirjaj ka humbur jetën tragjikisht në autostradë gjatë orëve të para të mëngjesit, pas një përplasjeje me një fuoristradë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, i riu po udhëtonte drejt Milanos së bashku me katër miq të tij me një automjet tip “Volvo”. Menjëherë pas kalimit të pikës së pagesës së autostradës, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin, duke u përplasur me barrierat mbrojtëse ndarëse të rrugës. Katër pasagjerët e tjerë që ndodheshin në makinë fatmirësisht nuk pësuan dëmtime serioze.

    Paskëtaj, Thomas Qirjaj doli nga makina e dëmtuar për të sinjalizuar rrezikun dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të mjeteve që qarkullonin në autostradë. Megjithatë, gjatë këtij akti, ai u godit me shpejtësi nga një fuoristradë që drejtohej nga një 25-vjeçar, i cili dyshohet se nuk arriti ta dallonte me kohë të ziun në rrugë. 20-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit “Predabissi”, por për shkak të plagëve të rënda mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

    Thomas Qirjaj kishte lindur në Piacenza dhe ishte djalë i vetëm i një familjeje me origjinë shqiptare, e cila jetonte prej vitesh në zonën e Caorso-s. Ndarja e tij nga jeta shkaktoi reagime të shumta; kryetarja e bashkisë vendase, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen duke e vlerësuar 20-vjeçarin si një të ri mjaft të integruar në komunitet.

    Autoritetet italiane kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit. Hetimet po ndiqen nga Policia Rrugore e Guardamiglios në bashkëpunim me Prokurorinë e Lodit, ndërsa drejtuesit të fuoristradës pritet t’i nënshtrohet edhe testeve përkatëse toksikologjike.