Skip to content

Rrëzohet një avion në SHBA, humbin jetën të gjithë njerëzit në bord

    Një avion i tipit Learjet 60 është rrëzuar të dielën në një zonë të banuar në Florida të Shteteve e Bashkuara, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord. Ngjarja u konfirmuar nga sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.

    Aksidenti ndodhi rreth orës 12:50 me orën lokale, pranë zonës së Cresthaven në Qarkun Palm Beach, afërsisht 14 kilometra larg Mar-a-Lago, rezidencës së Presidentit Donald Trump.

    Pamjet nga vendngjarja shfaqën një krater të madh në mes të një rruge banimi, me mbeturina të shpërndara, copa betoni dhe gjurmë zjarri.

    Detajet e fluturimit dhe momentet e fundit

    Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni ishte nisur nga Austin i Teksasit dhe kishte si destinacion Bahamas. Të dhënat e gjurmimit dhe raportimet e mediave amerikane tregojnë se mjeti ajror kishte nisur një zbritje jashtëzakonisht të shpejtë para përplasjes.

    Në komunikimin e fundit me kullën e kontrollit, piloti raportoi fillimisht një zbritje prej 10 mijë metrash në minutë përpara se të shpallte gjendje emergjence, duke thënë: “Do të rrëzohemi… Na mbaroi koha”.

    Reagimet dhe hetimet zyrtare

    Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e cilësoi aksidentin si një ngjarje tronditëse, duke vënë në dukje pamjet që tregonin avionin duke u përplasur pothuajse vertikalisht në tokë dhe duke shpërthyer në flakë.

    Sekretari i Transportit, Sean Duffy, njoftoi dërgimin e një grupi specialistësh nga FAA për të asistuar në hetimet e drejtuara nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), ndërsa Shërbimi i Shpëtimit nga Zjarri i Qarkut Palm Beach shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të numrit të lartë të viktimave. Shkaqet e sakta të rrëzimit mbeten ende të paqarta.