Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Chiarit, në provincën e Breshias, Itali, ku një 21-vjeçar shqiptar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij brenda banesës ku jetonin së bashku.
Krimi ka ndodhur gjatë natës mes të hënës, 2 nëntor, dhe të martës, 3 nëntor.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, 39 vjeçe, ndërsa i dyshuari për krimin është djali i saj, Eduart Xhani, 21 vjeç. Familja është me origjinë shqiptare, ndërsa i riu ka lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Pas ngjarjes së rëndë, 21-vjeçari është larguar nga banesa dhe ka udhëtuar drejt Cremonës, ku më pas është paraqitur vetë pranë karabinierëve dhe është dorëzuar në polici.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e karabinierëve, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të krimit.
Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë bërë të ditur motivin që mund të ketë çuar në këtë ngjarje tragjike dhe as nëse ka pasur konflikte të mëparshme mes nënës dhe djalit.
Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet që çuan në vrasjen e 39-vjeçares.
