Sipas sinoptikanes Lajda Porja, nga e mërkura moti pritet të përmirësohet, por temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.
Meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, tha se reshjet do të vijojnë deri të martën në mbrëmje.
Porja tha se nga e mërkura do të ketë një përmirësim të theksuar të kushteve atmosferike. Moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët deri në fundjavë, por nën ndikimin e masave ajrore të thata dhe të ftohta.
“Do të kemi masa ajrore të cilat janë të thata, por të ftohta. Nga e mërkura dhe deri në fundjavë presim që moti të ftohet, sidomos në orët e para të mëngjesit, duke na bërë të përjetojmë disa nuanca dimri në mëngjes, edhe pse jemi ende në vjeshtë”, deklaroi meteorologia.
Sipas parashikimit, temperaturat maksimale nga e mërkura në zonat malore do të zbresin deri në zero ose lehtësisht nën zero, duke arritur deri në -1°C. Në mesditë, temperaturat do të luhaten rreth 21-22°C, pranë vlerave normale klimatike për këtë periudhë.
Një tjetër element që do të ndikojë në ndjesinë e të ftohtit do të jetë era, e cila do të fryjë kryesisht nga lindja dhe verilindja. Sipas Porjas, ajo do të jetë mbi mesataren dhe do të ndihet veçanërisht në orët e mëngjesit dhe në mbrëmje.
