Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përfshirë në një përplasje të ashpër fizike dhe verbale me gazetarin Klevin Muka gjatë një debati televiziv mbi zhvillimet aktuale politike, ngjarje e cila solli ndërprerjen e përkohshme të transmetimit.
Tensioni në studio ka nisur gjatë një diskutimi të nxehtë, kur situata ka dalë jashtë kontrollit pasi Noka i ka drejtuar vazhdimisht gishtin në fytyrë gazetarit Muka. Reagimi i këtij të fundit ka qenë i menjëhershëm duke tentuar t’i ulë dorën, çka ka shkaktuar një përplasje të drejtpërdrejtë mes tyre.
Në materialin e debatit të transmetuar, përplasja verbale eskaloi shpejt:
Noka: Cilët janë oligarkët që ka PD? As edhe një, Ta mbaroj unë. Është shërbim ndaj Edi Ramës të bësh opozitën e opozitës, të më tregosh ti mua që kam 13 vjet që bëj opozitë.
Muka: S’ka fare për të diskutuar, të lutem mos ma ço zërin se jemi dhe afër.
Noka: Ta çoj zërin që të çudis.
Muka: Mos më ngri dorën mua, ule dorën, jo dorën mua.
Noka: Mos kap dorën mua se të…
Për të qetësuar situatën e tensionuar, në drejtim të tyre është çuar pedagogu Ermal Hasimja, ndërsa moderatorja Nisida Tufa u detyrua të ndërpriste emisionin. Megjithatë, pas ndërprerjes dhe ftohjes së gjakrat, palët janë pajtuar duke i dhënë dorën njëri-tjetrit dhe duke e lënë pas incidentin.
