Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin Casarano të provincës së Leçes në Itali, ku ka humbur jetën 61-vjeçari me prejardhje shqiptare Bashkim Rushani, pronar i një kompanie ndërtimi.
Aksidenti u regjistrua mëngjesin e 4 nëntorit në zonën Contrada Spagnolo, gjatë kohës që Rushani po kryente punime për riparimin e disa shtyllave të një porte rrëshqitëse në një pronë private. Struktura e rëndë metalike është shkëputur papritur duke e zënë poshtë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës. Prokuroria e Leçes ka hapur një çështje penale për vrasje nga pakujdesia ndaj personave të panjohur, me qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësive teknike.
I larguar nga Shqipëria në vitin 1992 me anijet e emigrimit, Rushani ishte integruar prej dekadash në komunitetin italian ku zotëronte edhe shtetësinë. Përveç aktivitetit në ndërtim, ai ishte i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe zhvillonte një veprimtari të ngjeshur artistike në pikturë e skulpturë bashkëkohore.
