Erindi është 17-vjeçari i cili është gjobitur me 5 milionë lekë gjatë protestës së 7 nëntorit nga policia. Gazetari Osman Stafa ka shkuar në shtëpinë e të miturit, i cili jeton vetëm me të atin, motrën dhe vëllain e tij pasi e ëma ka ndërruar jetë. Në videon e publikuar nga gazetari Stafa, shihen kushtet e vështira në të cilat jeton adoleshenti.
Ai tregon se dritat ka 10 muaj që i kanë prerë, ndërsa punonjës të bashkisë i kanë thënë se banesën do e rregullojnë, por deri më tani nuk kanë bërë asgjë.
“Këtu jetoj unë. Kam vendosur flamurin shqiptar në mur sepse është krenari ta mbash atë flamur. Kurani është gjithçka për mua. Shkoj në xhami. Kam mësuar vetë të shkoj. Nuk më ka mësuar njeri. Lutem për të pasur një të ardhme më të mirë, shtëpi të mirë, të jetoj si gjithë të tjerët. Asnjë ndihmë nga shteti. Vetëm gënjeshtra. Kanë ardhur do jua bëjmë shtëpinë.
Kanë ardhur punonjës të bashkisë. Na i kanë prerë dritat më parë, para 4 vjetësh. I prenë, babai i lidhi, ditën tjetër i prenë prapë dhe vunë gjobë 400 mijë lekë. Dritat kemi 10 muaj pa i paguar. Nëna më mungon shumë. Çdo gjë do ishte më ndryshe. Do isha më i lumtur sot. E kujtoj si gjithçka. Ajo është gjithçka për mua, pavarësisht se nuk jeton më. Do jetë gjithçka për mua derisa të vdes. U gjobita prapë dje, 50 mijë lek. Se ke qenë me protestuesit. Dhashë intervistën dhe u gjobita me 50 mijë lek. Nuk më frikëson. Normal që do jem deri në fund.“- tha ai.
Brenda pak orësh janë. mbledhur gati 100 mijë Paund.
