Nga skema e re e bonusit të bebes, e cila parashikon pagesa mujore deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës, nuk do të përfitojnë të gjitha familjet. Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, sqaroi në Komisionin e Ekonomisë se mbështetja e re financiare do të fokusohet te familjet në nevojë, me të ardhura mujore deri në 180 mijë lekë të reja.
Sipas skemës së propozuar, familjet me fëmijën e parë do të përfitojnë 5 mijë lekë në muaj, ose 60 mijë lekë në vit. Për pesë vitet e para, shuma totale arrin në 300 mijë lekë.
Për fëmijën e dytë, pagesa mujore do të jetë 7 mijë lekë, ose 84 mijë lekë në vit, ndërsa për fëmijën e tretë mbështetja do të arrijë në 10 mijë lekë në muaj, ekuivalente me 120 mijë lekë në vit dhe 600 mijë lekë përgjatë pesë viteve të para.
Ndërkohë, bonusi aktual i bebes, që jepet në formën e një pagese të vetme pas lindjes, do të vijojë të jetë në fuqi dhe nuk do të ndryshojë. Kështu, sipas ministres, këtë pagesë do të vazhdojnë ta përfitojnë të gjitha familjet që plotësojnë kushtet, ndërsa skema e re mujore do të jetë një mbështetje shtesë për familjet me të ardhura më të ulëta.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë, deputeti Erion Braçe kërkoi sqarime nëse pagesa mujore do të jepej për çdo fëmijë që lind apo vetëm për familjet në nevojë.
Spahiu: Në lidhje me bonusin e bebes ne kemi vendosur një politikë të re që të mbështesim familjet në nevojë, dhe që nga korriku 2027 është buxhetuar që për këto familje në nevojë të kemi pagesa…
Braçe: Vetëm për familjet në nevojë, jo për çdo bebe që lind?
Spahiu: Kjo është një politikë që duhet vlerësuar në bazë të kostove, ne duhet të adresojmë fillimisht familjet në nevojë, kemi targetuar në bazë të nivelit të të ardhurave.
Braçe: Çdo fëmijë që lind do të marrë bonusin e menjëhershëm, dhe pastaj çdo fëmijë nga familjet në nevojë do të ketë këtë mbështetje mujore?
Spahiu: Po. Bonusi i menjëhershëm nuk ndryshon. Në lidhje me rimbursimin për çdo familje, për t’ia dhënë të gjitha familjeve nuk e kemi bërë këtë llogari. Kemi bërë ushtrimin për familjet në nevojë. Megjithatë ne do ta rishikojmë. Dëshira jonë është që të mbulojmë familjet me të ardhura mujore deri në 180 mijë lekë të reja. Fëmija i parë merr 5 mijë lekë të reja në muaj, fëmija i dytë 7 mijë lekë të reja dhe 10 mijë lekë të reja për fëmijën e tretë.
Skema e re pritet të nisë zbatimin në korrik të vitit 2027, ndërsa ministrja la të hapur mundësinë e rishikimit të kritereve të përfitimit.
