Skip to content

E diplomuar në Milano, kush është shefja e re e SHISH, Esmeralda Hasani..

    Esmeralda Hasani është emri që do të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit Edi Rama. Ajo zë vendin e Vlora Hysenit, e cila u pezullua nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.

    Profili profesional i Hasanit lidhet kryesisht me drejtësinë, arsimin universitar, menaxhimin e projekteve dhe administratën publike. Përvoja e saj e dokumentuar publikisht është ndërtuar më shumë në këto fusha sesa në strukturat e inteligjencës dhe sigurisë.

    Hasani ka studiuar drejtësi në Itali, në Universitetin e Milanos-Bicocca, ku profili i saj akademik lidhet me të drejtën ndërkombëtare. Ajo ka kryer gjithashtu studime në planifikimin dhe menaxhimin e projekteve europiane në Europa Cube Innovation Business School, në Bruksel.

    Në karrierën akademike është angazhuar në mësimdhënie, veçanërisht në fushën e së drejtës europiane dhe integrimit europian.

    Një pjesë të rëndësishme të përvojës profesionale e ka ndërtuar në drejtimin e instituteve të kërkimit dhe zhvillimit. Në periudhën 2015–2019 ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, ndërsa më pas është angazhuar në drejtimin e Institutit Adriapol, i cili merret me projekte kërkimore, arsimore dhe iniciativa zhvillimi.

    Në vitet 2017–2018, Hasani ka punuar pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën, fillimisht si këshilltare dhe më pas si shefe kabineti.

    Gjatë kësaj periudhe është angazhuar në hartimin dhe zhvillimin e projekteve që synonin përfshirjen e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Emri i saj figuron gjithashtu në strukturat drejtuese të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, ku në vitin 2018 ishte emëruar si përfaqësuese e ministrit të Shtetit për Diasporën.

    Prej vitit 2021, sipas të dhënave të publikuara në profilin e saj profesional, ajo ka ushtruar funksionin e konsulentes pranë Kryeministrisë, me fokus planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve. Ka qenë gjithashtu e angazhuar në bashkëpunime dhe iniciativa ndërkombëtare.

    Edhe pse karriera e saj publike lidhet kryesisht me drejtësinë, projektet dhe administratën, Hasani ka pasur edhe angazhime në studime që prekin fushën e sigurisë.

    Në janar të vitit 2023, ajo rezulton bashkautore e një studimi mbi kuadrin ligjor dhe institucional të Shqipërisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në hapësirën kibernetike. Studimi është realizuar në bashkëpunim me Edlira Gjolleshin dhe Saimir Kapllanin.