Skip to content

Besonte se ishte shtrigë dhe merrej me magji të zezë/ Krimi makabër në Austri, zbardhet ekspertiza psikiatrike për shqiptarin që vrau bashkëshorten

    Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga ekspertiza psikiatrike e 47-vjeçarit shqiptar nga Kosova, i cili dyshohet se vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij 38-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, në Austri. Ndërkohë, një bashkatdhetar 45-vjeçar po hetohet nën akuzën se i siguroi armën e krimit, duke pasur dijeni të plotë për qëllimin e tij.

    Sipas raportit plotësues psikiatrik, 47-vjeçari është diagnostikuar me çrregullime të rënda psikotike, duke konstatuar se në momentin e kryerjes së krimit nuk ka qenë penalisht i përgjegjshëm për veprimet e tij. Hetimet zbulojnë se autori kishte krijuar bindjen fikse se bashkëshortja e tij merrej me magji të zezë dhe ishte shtrigë, ndërsa pushtohej vazhdimisht nga fantazi për demonë dhe forca të errëta.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill, të dielën e Pashkëve, në zonën Sooß të Austrisë së Poshtme. Sipas dosjes hetimore, 47-vjeçari fillimisht i kishte dorëzuar bashkëshortes disa dhurata për festën, por menjëherë më pas kishte qëlluar tri herë drejt saj me një pistoletë të tipit “Beretta”.

    Sulmi nuk ishte ndalur me të shtënat e armës, pasi autori dyshohet se e kishte goditur viktimën rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit, derisa ajo kishte humbur jetën. Më pas, trupin e pajetë e kishte tërhequr në kopshtin e banesës dhe e kishte mbuluar me mbeturina.

    Edhe pas arrestimit, sjellja e tij në qeli ka vijuar të jetë e çrregullt, duke folur vazhdimisht për magjinë e zezë dhe demonët, ndërsa punonjësit e burgut i përshkruante si “njerëz shpellash që përgatiteshin për ferr”.