Skip to content

PS merr vendimin për Spiropalin dhe Ndrecën: Ja çfarë ndodh me dy figurat e partisë

    Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka sqaruar sot më 14 nëntor qëndrimin e tij lidhur me Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën, duke konfirmuar se të dy nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese të partisë.

    Përmes një reagimi, Klosi hodhi poshtë lajmet se Spiropali nuk do të përjashtohej nga strukturat drejtuese, duke i cilësuar ato si keqinterpretim të qëllimshëm të deklaratave të tij për mediat.

    Klosi theksoi se Spiropali dhe Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të Partisë Socialiste, por kjo nuk nënkupton përjashtimin e tyre nga partia. Sipas tij, në një parti ku anëtarësimi mund të bëhet edhe përmes aplikimit online, nuk ka kuptim të flitet për përjashtim nga anëtarësia.

    Ai sqaroi gjithashtu se në Asamble nuk u votua për përjashtimin, pasi tre anëtarë ishin kundër këtij propozimi në parim dhe shprehën lirisht qëndrimin e tyre. Sipas Klosit, kjo është vendimmarrja e PS-së, ndërsa interpretimet e tjera të publikuara në media nuk pasqyrojnë atë që ka ndodhur.

    Sekretari i Përgjithshëm i PS-së u shpreh se partia do të vijojë rrugën e saj, duke vlerësuar frymën pozitive të Asamblesë. Kështu, Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë pjesë e strukturave drejtuese të socialistëve, por mbeten anëtarë të Partisë Socialiste.

    Vendimi vjen në ditën kur Partia Socialiste mblodhi Asamblenë Kombëtare, ku u diskutuan zhvillimet e brendshme dhe organizimi i strukturave drejtuese të partisë. Emrat e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës ishin në qendër të vëmendjes pas diskutimeve për largimin e tyre nga forumet drejtuese.

    View this post on Instagram

    A post shared by Blendi Klosi (@blendi_klosi)

    Postimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së Blendi Klosi

    Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.

    Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.

    Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje.