Një aksident i rëndë automobilistik i ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë i ka marrë jetën Shefit të Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, Ermal Lulaj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Novoselës, ku automjeti me të cilin udhëtonte zyrtari i policisë është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, të llojit skrep. Si pasojë e goditjes së fortë, Ermal Lulaj ka ndërruar jetë në vend ngjarje.
Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë, shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik.
