Nuk u mbijetoi plagëve të rënda! 72-vjeçari, i cili u godit me sende të forta nga djali i tij 37-vjeçar në Rrushkull, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Në sulm mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij 69-vjeçare
Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 72-vjeçari, i cili u dhunua me sende të forta nga djali i tij në fshatin Rrushkull të Durrësit.
I moshuari Sali Kaçuli nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda që pësoi, veçanërisht në kokë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 nëntor, përpara banesës së familjes në Rrushkull, Manëz.
Sipas informacionit të Policisë, 37-vjeçari me inicialet E. Kaçuli, i raportuar me probleme të shëndetit mendor, goditi me sende të forta të dy prindërit e tij, babanë Sali Kaçuli, 72 vjeç, dhe nënën Farie Kaçuli, 69 vjeçe.
Si pasojë e dhunës, të dy të moshuarit mbetën të plagosur. Gruaja 69-vjeçare u transportua në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku sipas informacionit fillestar ndodhej në gjendje të stabilizuar.
Ndërsa bashkëshorti i saj, i cili kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë, u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Megjithatë, pas disa ditësh në spital, 72-vjeçari sot ka humbur betejën me plagët, duke e kthyer ngjarjen e dhunshme brenda familjes në një tragjedi me një viktimë.
Pas ngjarjes, 37-vjeçari u shoqërua në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
