Skip to content

Sekuestrohen mbi 10 milionë euro pasuri në Tiranë, në shënjestër biznesmeni 51-vjeçar, ja çfarë u zbulua..

    Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “DARK CAPITAL”, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një 51-vjeçari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale. Gjatë operacionit janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, në pronësi të tij dhe të personave apo subjekteve të lidhura me të.

    Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës.

    Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan pasuritë e shtetasit I. Sh., alias I. P., 51 vjeç, si dhe të personave dhe subjekteve të lidhura me të.

    Konkretisht, janë sekuestruar:

    • 14 pasuri të paluajtshme;
    • 6 pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të bashkëshortes së tij, shtetases H. Sh.;
    • 6 subjekte tregtare, përfshirë biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin farmaceutik;
    • 8 automjete.

    Në total, vlera e pasurive të sekuestruara kapërcen 10 milionë euro. Ato do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

    Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se 51-vjeçari është përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, mes tyre trafikimi i lëndëve narkotike, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme e lirisë, si dhe përfitimi i mallrave të vjedhura.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.