Skip to content

Përgatitja për emergjenca, ja pse mijëra qytetarë po grumbullojnë ushqim, ujë dhe çanta mbijetese..

    Mallra të konservuara, ujë në shishe, radio portative, gjeneratorë dhe çanta shpine për raste emergjence janë produkte që deri vonë lidheshin kryesisht me të ashtuquajturit “përgatitës” — njerëz që përgatiten sistematikisht për fatkeqësi të mëdha — por që tani po gjejnë një audiencë blerëse shumë më të gjerë.

    Frika nga sulmet kibernetike duke përdorur inteligjencën artificiale, kolapsi i rrjeteve të energjisë, paraliza e transportit dhe kërcënimet ndërkombëtare po i bëjnë gjithnjë e më shumë njerëz të pyesin veten se sa të përgatitur janë për një krizë të mundshme. Përgatitja për emergjenca po përjeton një popullaritet të paparë në internet, pasi edhe qytetarë që më parë i shihnin praktika të tilla me dyshim po fillojnë të grumbullojnë ushqim, ujë dhe pajisje bazë mbijetese.

    Michael Mills, lektor i lartë në Universitetin e Greenwich-it që studion përgatitjen për fatkeqësitë, shpjegon se pasiguria në lidhje me stabilitetin global po i shtyn njerëzit drejt versioneve më të buta të përgatitjes tradicionale. Sipas tij, akumulimi i problemeve të pazakonta teknologjike ka përforcuar ndjenjën e shqetësimit mbi stabilitetin shoqëror, duke treguar se sistemet e përditshme, nga transporti ajror te pajisjet bazë, mund të bllokohen papritmas.

    Ky ndryshim tashmë po reflektohet ndjeshëm në treg. Kompania amerikane “Survival Frog”, e cila tregton pajisje mbijetese, regjistroi një rritje prej 450 për qind të shitjeve nga 27 tetori deri më 16 nëntor, krahasuar me javët e mëparshme. Themeluesi i kompanisë, Byron Walker, bëri të ditur se shumica e blerësve të fundit kanë qenë klientë të rinj, ndërsa në krye të kërkesës qëndrojnë mishi i konservuar, radiot portative, gjeneratorët diellorë, bateritë dhe filtrat e ujit.

    Në javët e fundit janë regjistruar ndërprerje në sisteme jetike si transporti, komunikimet, shërbimi ushqimor dhe kujdesi shëndetësor, të shkaktuara si nga probleme teknologjike, ashtu edhe nga veprime keqdashëse. Edhe pse zyrtarët sigurojnë se këto incidente nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën, përvoja e pandemisë dhe brishtësia e zinxhirëve të furnizimit kanë nxitur rritjen e shitjeve të orizit, konservave dhe ujit edhe në zinxhirë të mëdhenj tregtarë si “Costco”.

    Paralelisht, po rritet ndjeshëm interesi për udhëzuesit online mbi mbijetesën. Krijuesit e përmbajtjeve të specializuara raportojnë më shumë se dyfishim të ndërveprimit në rrjetet sociale, duke vënë në pah se familje që më parë e përjashtonin mundësinë e një krize serioze, tashmë po kërkojnë këshilla konkrete për t’u përgatitur për situata emergjente.