Skip to content

Alarm për bombë në Rinas, gjendet letër kërcënuese në avionin Manchester-Tiranë

    Një alarm për bombë është dhënë mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit, pas gjetjes së një letre me mesazh kërcënues në tualetin e avionit të linjës Manchester–Rinas.

    Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, menaxheri i aeroportit (ODM) ka njoftuar Policinë Kufitare për letrën e shkruar në gjuhën angleze, ku paralajmërohej për një shpërthim bombe.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.

    Më pas, është ushtruar kontroll i imtësishëm në avion, te pasagjerët dhe bagazhet e tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit.

    Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.