Joshua Foster, nga Essex i Britanisë së Madhe, ka thyer heshtjen pas tragjedisë së 12 korrikut 2026, kur djali i tij dyvjeçar humbi jetën pasi ra nga kati i katërt i hotelit King Evelthon Beach në Pafos të Qipros.
Babai po priste ashensorin me të birin, kur vogëlushi vuri re parkun ujor. Ai e vendosi fëmijën në pragun e dritares për t’i treguar pamjen, duke menduar se përpara tij kishte një xham mbrojtës. Por dritarja ishte e hapur dhe fëmija ra nga një lartësi prej afro 12 metrash.
Mbaj mend dëshpërimin kur e pashë duke rënë. Mendova se përpara tij kishte një xham dhe papritur ai nuk ishte më aty. Do ta mbaj këtë barrë gjatë gjithë jetës, rrëfeu babai.
Vogëlushi u transportua në spitalin e Pafosit, ku ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Nëna e mbajti në krahë për herë të fundit, duke i kënduar një ninullë.
Pas ngjarjes, policia qipriote arrestoi babanë, i cili kaloi tetë ditë në paraburgim. Avokati i tij kërkoi nga Prokurori i Përgjithshëm i Qipros pushimin e çështjes për arsye humanitare, por kërkesa u refuzua dhe procedimi penal vijoi.
Foster u lejua të kthehej në Britaninë e Madhe për të marrë pjesë në funeralin e të birit, kundrejt një garancie pasurore prej 25.750 paundësh. Ai pranoi fajësinë për veprën penale të shkaktimit të vd*ekjes nëpërmjet një veprimi të pamatur, të pakujdesshëm ose të rrezikshëm, për të cilën rrezikonte deri në katër vjet burg.
Në tetor 2026, Gjykata e Pafosit vendosi ta dënonte me një gjobë prej 2.500 paundësh, pa i shqiptuar dënim me burgim. Babai tregoi se familja vazhdon të përjetojë dhimbje të thellë, veçanërisht vajza e tij, e cila përshëndet qiellin dhe i dërgon puthje vëllait të vogël.
