Moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe gjatë ditëve të fundit të nëntorit, me reshje shiu, rrebeshe dhe erë të fortë. Por ndryshimi më i ndjeshëm pritet të vijë në fillim të javës së ardhshme, kur një masë ajrore e ftohtë nga Europa Veriore do të përfshijë rajonin e Ballkanit, duke sjellë temperatura tipike dimërore.
Sipas sinoptikanes Lajda Porja nga Meteoalb, fundjava do të karakterizohet nga reshje të pakta dhe temperatura relativisht të larta, ndërsa era do të jetë elementi më problematik, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare.
E diela me erë të fortë, të hënën rikthehen rrebeshet
Gjatë fundjavës, reshjet do të jenë të pakta dhe kryesisht në formën e rrebesheve të shkurtra në veri. Në zonat qendrore dhe jugore priten reshje me intensitet të ulët.
Megjithatë, të dielën në mbrëmje era pritet të forcohet ndjeshëm, si në zonat e brendshme, ashtu edhe përgjatë bregdetit, ku intensiteti do të jetë më i lartë.
Të hënën situata do të përkeqësohet sa i përket reshjeve. Rrebeshet e shiut pritet të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar, ndërsa zonat veriore dhe veriperëndimore do të mbeten më të ekspozuara ndaj reshjeve intensive.
E marta dhe e mërkura sjellin të ftohtin, temperaturat bien ndjeshëm
Pas reshjeve të së hënës, të martën dhe të mërkurën pritet një ndërprerje e përkohshme e reshjeve. Por këto dy ditë do të sjellin një ndryshim të fortë të temperaturave.
Një masë ajrore e ftohtë që po zbret nga Europa Veriore drejt Ballkanit do të sjellë kushte tipike dimërore. Sipas sinoptikanes, kjo do të jetë një situatë kalimtare, pasi nga mesi i javës reshjet do të rikthehen.
Dëbora rikthehet në zonat malore, reshjet vijojnë deri më 28 nëntor
Nga mbrëmja e së mërkurës ose mëngjesi i së enjtes pritet të rikthehen reshjet e shiut, ndërsa në zonat e larta malore do të shfaqen edhe reshjet e para të dëborës.
Moti i paqëndrueshëm parashikohet të vijojë deri më 28 nëntor, me vranësira dhe reshje herë pas here. Për momentin, dëbora pritet të mbetet e kufizuar në zonat malore dhe nuk parashikohet të zbresë në lartësitë e ulëta.
Nëntori mbyllet me mot të ftohtë, por pa reshje
Sipas parashikimit, ndryshimi i motit do të vijë në dy ditët e fundit të muajit, më 29 dhe 30 nëntor. Këto ditë pritet të jenë pa reshje, por me temperatura të ulëta dhe kushte tipike dimërore.
Lajda Porja theksoi se edhe ditët e para të dhjetorit pritet të jenë të ftohta, por kryesisht të thata, duke sjellë më në fund kushtet për të nxjerrë veshjet e trasha të dimrit.
Nëntor atipik, veriu ka tejkaluar normat e reshjeve
Duke bërë një bilanc të muajit, sinoptikania u shpreh se nëntori ka qenë atipik si për temperaturat, ashtu edhe për reshjet. Temperaturat nga fillimi i muajit kanë qenë rreth 5 gradë mbi mesataren, ndërsa në disa zona diferenca ka arritur deri në 6 gradë.
Sa u përket reshjeve, veriu dhe veriperëndimi kanë tejkaluar normat mujore, ndërsa qendra dhe jugu janë më pranë vlerave normale. Sipas Porjas, reshjet e shumta janë përqendruar kryesisht në veri, ku janë regjistruar edhe problematikat më të theksuara atmosferike.
