Skip to content

Faturat e ujit do te rriten për familjet dhe bizneset

    Familjet që konsumojnë më shumë se 18 metra kub ujë në muaj pritet të përballen me fatura më të larta për sasinë që tejkalon këtë prag. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar mekanizmin e fashave të mbikonsumit, duke vendosur kufij të rinj faturimi për klientët familjarë, institucionet publike dhe bizneset.

    Kjo skemë do të zbatohet vetëm për abonentët e pajisur me matës dhe nuk hyn në fuqi automatikisht, por kërkon miratim të veçantë nga Enti Rregullator për secilën shoqëri ujësjellës-kanalizime (UK) që paraqet aplikim.

    Sipas rregullores së miratuar, konsumi mujor i familjeve ndahet në tre fasha. Për sasinë deri në 18 metra kub në muaj do të aplikohet tarifa bazë. Për konsumin nga 18 deri në 30 metra kub, tarifa për metër kub mund të shumëzohet me një koeficient që varion nga 1 deri në 3, ndërsa për sasitë mbi 30 metra kub, koeficienti rritet nga 1.5 deri në 4. Për shembull, nëse një familje konsumon 35 metra kub në një muaj, 18 metra kub do të faturohen me çmimin bazë, 12 metra kub sipas fashës së dytë dhe vetëm 5 metra kub sipas fashës së tretë.

    Për kategorinë e institucioneve publike dhe bizneseve, pragu i konsumit bazë do të llogaritet mbi bazën e mesatares mujore të vitit të fundit. Fasha e dytë do të përfshijë konsumin nga kjo mesatare deri në trefishin e saj, kurse fasha e tretë do të zbatohet për çdo sasi që tejkalon trefishin e mesatares.

    Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve mund t’i propozojnë këta koeficientë së bashku me kërkesat për rishikim tarifash ose përmes një aplikimi të dedikuar. Për të marrë miratimin, ato detyrohen të dorëzojnë të dhëna të detajuara mbi konsumin, kapacitetet e furnizimit dhe planin e investimeve se ku do të përdoren të ardhurat shtesë.

    Ndërkohë, për zonat bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda, ku më herët ishte propozuar një tarifim sezonal për përballimin e fluksit gjatë muajve të verës, koeficientët dhe afatet e zbatimit mbeten ende për t’u përcaktuar përmes vendimeve të veçanta.